Tregu i energjisë elektrike rregullohet më Ligjin nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike”, i ndryshuar, i cili përmban rregulla të përgjithshme për furnizimin e energjisë elektrike për konsumatorët, përmes krijimit të një tregu funksional dhe konkurrues të energjisë. Sistemi elektroenergjitik në Republikën e Shqipërisë përbëhet nga: Prodhimi, Transmetimi, Shpërndarja e energjisë elektrike, si dhe Tregtimi me qëllim furnizimin e klientëve të energjisë elektrike.
Prodhimi i energjisë elektrike realizohet nga shoqëria publike KESH SHA dhe shoqëria HEC Lanabregas SHA të cilat janë shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore, si dhe nga subjektet private të licencuara në këtë aktivitet të tilla si: prodhuesit me përparësi, prodhuesit e pavarur dhe vetëprodhuesit e energjisë elektrike. Prodhuesit me përparësi dhe prodhuesit e pavarur të energjisë elektrike janë subjekte të licencuara në vite nga ERE që shfrytëzojnë centralet ekzistuese apo të reja, kryesisht nëpërmjet marrëveshjeve të privatizimit, marrëveshjeve të koncesionit apo kontratave për shfrytëzimin dhe administrimin e impianteve prodhuese të energjisë elektrike.
Transmetimi i energjisë elektrike realizohet nga shoqëria “Operatori i Sistemit të Transmetimit” (OST) SHA, e cila është një shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore. Transmetimi i Energjisë Elektrike në Shqipëri kryhet nëpërmjet sistemit të transmetimit i cili përfshin rrjetin me tensioni të lartë 400 kV, 220 kV, 150 kV, dhe 110 kV.OST SHA zhvillon Sistemin e Transmetimit në përputhje me kërkesat afatgjata të furnizimit të vendit me energji elektrike, me planet e zhvillimit të burimeve të reja të energjisë elektrike dhe koordinon zhvillimin e rrjetit të interkonjeksionit me vendet fqinje.
Shpërndarja e energjisë elektrike realizohet nga shoqëria “Operatori i Sistemit te Shpërndarjes” (OSSH) SHA, e cila është një shoqëri me 100% të aksioneve shtetërore dhe është licencuar për operimin e sistemit të shpërndarjes së energjisë elektrike. OSSH SHA prokuron energji elektrike në tregun e hapur dhe nga burimet e rinovueshme, në përputhje me rregulloren e miratuar nga ERE dhe nëpërmjet platformës elektronike për procedurat e blerjes së energjisë elektrike.